Media shtetërore iraniane ka publikuar pamje që, sipas saj, tregojnë mbetje të avionëve amerikanë të rrëzuar në territorin e Iranit, në kuadër të zhvillimeve të fundit ushtarake në rajon.
Në videot që po qarkullojnë në internet shfaqet një zonë e gjerë e mbuluar me rrënoja, ku dallohen pjesë të shkatërruara avionësh, disa prej të cilave janë ende në flakë ose nxjerrin tym. Nga pamjet, identifikohen elementë që ngjajnë me motorë turboprop, megjithëse nuk është konfirmuar zyrtarisht lloji i saktë i mjeteve ajrore.
Sipas raportimeve, incidenti lidhet me rrëzimin e një avioni luftarak F-15 Eagle mbi territorin iranian, gjatë një operacioni që përfshinte përpjekjet për shpëtimin e një piloti amerikan.
Deri më tani, nuk ka konfirmim të pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me vërtetësinë e pamjeve apo detajet e incidentit, ndërsa informacionet mbeten të pakonfirmuara dhe pjesë e raportimeve nga burime iraniane.
Zhvillimet vijnë në një moment të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku përplasjet dhe deklaratat mes palëve kanë rritur ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit.
