Ish-zv.komandanti i Forcës Detare Artur Meçollari ka nxjerrë dje në skenë fakte të pakundërshtueshme që vërtetojnë skandalin e madh të planit të qeverisë për shembjen e Akademisë së Marinës në Vlorë, ku pritet t’i jepet si koncesion një investitori strategjik pranë Familjes Mbretërore. Pas denoncimit që bëri disa ditë më parë, ai ka publikuar të dhëna të tjera të forta, të cilat kanë të bëjnë me origjinën e pronës. Meçollari shkruan se në vitin 1939 kur edhe janë bërë fotot, prona ku është ndërtuar Akademia e Marinës kishte pronar privat. Kjo pronë thotë ai, u ble nga Administrata Italiane e luftës dhe më pas u shtetëzua në vitin 1946. Dhe teksa sjell gjithë kronologjinë e regjistrimit të pronës, Meçollari thotë se ajo ka vetëm një ish-pronar dhe ajo është Administrata Italiane, teksa tashmë i përket shtetit.
“Një foto ajrore e vitit 1939 e pronës ku në vitin 1962 do të ndërtohej Akademia e Marinës. Fotoja është realizuar në vitin 1939 nga Forcat Ajrore Mbretërore të Italisë dhe gjendet në Arkivën Forcës Ajrore Italiane të Firences. Në këtë kohë kjo pronë kishte pronar privat. Prona me të kuqe ku u ndërtua në vitin 1962 Akademia e Marinës, prej 42.961 m², i përkishte Administratës Italiane të Luftës mbas vitit 1940. Prona prej 900 m² (në anën veriore) nga viti 1932 deri në vitin 1946 i përkisnin Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Bashkisë së Vlorës (çentrali elektrik). Prona prej 42.961 m² u ble nga Administrata Italiane e Luftës në vitin 1940 dhe u shtetëzua në vitin 1946. Kjo pronë u shit nga pronarët dhe u ble nga Administrata e Luftës e Italisë që përfaqësohej nga kolonel Gualtiero Fratelli, Shef i Zyrës së Punëve Xhenjere në zyrën noteriale të Dr. Jonuz Tafaj në Tiranë.
Prona e ish Akademisë së Marinës në vitin 1932 kishte katër pronarë. Në vitin 1940, sipas akteve të shit-blerjeve noteriale kishte gjashtë pronarë dhe e gjithë u ble me Franga Ari nga Administrata Italiane e Luftës. Në vitin 1946 kjo pronë u shtetëzua e gjitha nga Shteti Shqiptar i kohës. Kjo pronë nuk ka ish pronar provat, por ish pronari është vetëm një, Administrata Italiane e Luftës që e ka humbur përfundimisht”, shkruan Meçollari.
