Një skenë makabër dhune tronditi ishullin Thasos në Greqi, ku një 50-vjeçare shqiptare u masakrua me thikë nga ish-bashkëshorti i saj 55-vjeçar, i cili e përndoqi deri brenda një mini-marketi pranë banesës së saj.
E ndoqi në market dhe e qëlloi në fytyrë dhe kokë
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë gruan e tmerruar teksa hyn me vrap në dyqan për të shpëtuar nga agresori. Vetëm pak sekonda më pas, 55-vjeçari futet me forcë brenda dhe e ndjek mes rafteve.
Punonjësi i marketit tregoi për mediat greke:
“Ajo hyri duke qarë. U mundova ta nxirrja jashtë dhe ta mbaja agresorin, por ai më shtyu dhe vrapoi pas saj. Më pas dëgjova britma.”
Pak metra më tej, ai e kapi dhe e goditi disa herë në fytyrë dhe kokë me një thikë, duke e lënë të gjakosur në rrugë.
Dëshmitarët: “Ajo doli zbathur duke ikur, ai theu xhamin e shtëpisë për të hyrë brenda”
Një fqinj tregon se sulmi nisi në banesën e gruas:
“Ajo rrinte e mbyllur brenda. Ai theu xhamin e dritares dhe hyri me forcë. Ajo doli zbathur duke vrapuar drejt dyqanit.”
Sipas banorëve, 55-vjeçari kishte ardhur në ishull vetëm disa ditë para sulmit. Nuk e njihte zonën dhe kërkonte në shqip adresën e ish-gruas, duke u prezantuar rrejshëm si “vëllai i saj”, derisa dikush i tregoi shtëpinë.
Gjendja e viktimës – humbur 25% të shikimit
50-vjeçarja u dërgua urgjentisht në spital. Mjekët konfirmuan se:
- është jashtë rrezikut për jetën,
- ka humbur 25% të shikimit në njërin sy,
- ka dëmtime të rënda në fytyrë dhe plagë nga goditjet me thikë.
Arrestimi dhe deklarata tronditëse e agresorit
Policia e arrestoi 55-vjeçarin pak minuta pas ngjarjes. Në çantën e tij u gjetën:
- disa thika,
- një bisturi,
- një kaçavidë.
Burime policore thanë se gjatë ndalimit ai nuk folej fare, ndërsa ndaj një kalimtari që i tha se “do të shkonte në burg”, ai u përgjigj ftohtë:
“Ate që doja të bëja, e bëra.”
Hetimet greke po trajtojnë ngjarjen si tentativë vrasjeje me paramendim dhe dhunë në familje.
