Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari ka dhënë alarmin se ndryshimi i destinacionit të Portit të Durrësit ka shkaktuar dëm në sigurinë kombëtare dhe strategjinë e NATO. Sipas tij, projekti për portin e ri në Porto Romano nuk kanë studim fizibiliteti. Meçollari shprehet se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për të krijuar boshllëk strategjik në transport pas vitit 2020, nuk hartoi një strategji tjetër sektoriale për transportin, një detyrim nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare 2014. “Ndryshimi i destinacionit të Portit të Durrësit ka shkaktuar dëm në sigurinë kombëtare dhe strategjinë e NATO-s. Si transformimi i Portit të Durrësit, ashtu edhe projekti për Portin e ri në Porto Romano nuk kanë studim fizibiliteti.
Askush nuk e di në terma financiarë cili është përfitimi i tij financiar në 50 vitet e ardhshme. Strategjia Sektoriale e Transportit 2016-2020 përcaktonte Portin e Durrësit si portin kryesor të Shqipërisë dhe hyrjen e korridorit të 8-të. Por, Ministria e Infrastrukturës, Balluku, për të krijuar boshllëk strategjik në transport pas vitit 2020, nuk hartoi një strategji tjetër sektoriale për transportin, një detyrim nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare 2014. Gjithsesi, mbështetur në dokumentin e mëparshëm të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare 2014, për NATO-n, Porti i Durrësit vijon të jetë porta e korridorit të 8-të. Kurse, në dy vitet e fundit, ka dështuar dy herë tenderi prej 392 milionë euro për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano”, shkruan Meçollar
Mashtrimi i Ballukut
Meçollari ka nxjerrë zbuluar edhe mashtrimet e Ballukut në Kuvend pak ditë më parë. “Në konceptin strategjik të NATO-s, Porti i Durrësit dhe Gjiri i Durrësit kanë kapacitete dhe kalueshmëri të lartë për një operacion masiv zbarkimi në rast të një konflikti me Rusinë. Ministrja Balluku, përpara disa ditësh, deklaroi në Parlament se diskutimet me NATO-n për bazën detare të NATO-s në Porto Romano janë “në fazë të avancuar”. Ka disa fakte që tregojnë se kjo deklaratë nuk është e vërtetë: Komandanti i NATO-s në Europë dhe i SHBA-së në Europë dhe Afrikë, gjenerali Cavoli, ka deklaruar më 5 maj 2021 se “Porti Historik i Durrësit ka pasur rëndësi strategjike për Aleancën”.
Ish-i Ngarkuari me Punë i SHBA në Tiranë, David Wisner, në një takim me Kryetarin e Komisionit të Sigurisë në Parlament, Nasip Naço, pasi u pyet për këtë çështje, ka deklaruar se “rëndësinë e Portit të Durrësit e ka përcaktuar Çezari 2000 vjet më parë”. Presidenti Bajram Begaj i bëri një vizitë më 8 mars 2024 gjeneralit Cavoli në SHAPE, Mons, Belgjikë, dhe mori një përgjigje, por që ende nuk e ka ndarë me publikun. Gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit të SHBA, Blinken, në Shqipëri, në takimin gati 2-orësh me Kryeministrin Rama, një nga pikat e diskutimit ka qenë edhe Porti i Durrësit. Tre herë është pyetur live Stoltenberg për bazën e NATO-s në Porto Romano. Një herë gjenerali Walter dhe gjashtë herë gjatë vizitës së fundit në Shqipëri gjenerali Cavoli. Asnjëri nuk ka kthyer përgjigje”, shkruan Meçollari.
Si e trumbetoi Rama dhe Balluku?
Kujtojmë se gara për tenderin e portit të ri në Porto Romano u hap në fund të muajit korrik përmes një eventi të madh të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku. Shefi i qeverisë lajmëroi se për ndërtimin e kësaj vepre kanë shprehur interes 15 kompani, pjesa dërrmuese e të cilave nga më të mëdhatë në botë. “Më vjen shumë mirë që ndër kompanitë e interesuara, ne kemi 5, edhe 5 kompanitë e listuara, si 5 më të mëdha në botë që tregon se çfarë interesi ka ky port, por historia e zhvillimit të porteve që ne e kemi mësuar për shkak të detyrës ka treguar që nëse këto kompani “gjejnë shesh”, “bëjnë një përshesh” aq të madh sa atë shumën në fillim të tenderit ta çojnë dyfish, trefish, katërfish pa asnjë problem nëse ti nuk ke peshkatarë peshkaqenësh në tokë.
