Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ironizuar ashpër takimin mes eurodeputetëve dhe opozitës serbe gjatë vizitës së një delegacioni të Parlamentit Evropian në Beograd, duke e cilësuar atë si “takimin më qesharak në botë”.
Në një intervistë për televizionin Prva, Vuçiç u shpreh se i vjen keq që, sipas tij, publiku serb i kushtoi kaq shumë vëmendje këtij delegacioni, ndërsa eurodeputetët i quajti “krejtësisht të parëndësishëm”.
Sipas Vuçiçit, opozita serbe shfrytëzon takime të tilla për të paraqitur Serbinë në dritën më negative të mundshme para përfaqësuesve evropianë. Ai e cilësoi si “të pacipë” kërkesën e opozitës për vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarëve të partisë në pushtet.
Delegacioni i Parlamentit Evropian qëndroi në Beograd nga 22 deri më 24 janar dhe zhvilloi takime me përfaqësues të qeverisë, opozitës, medias, shoqërisë civile dhe botës akademike. Presidenti Vuçiç dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiç, nuk u takuan me delegacionin, duke argumentuar se nuk ishin njoftuar zyrtarisht për vizitën.
Opozita proevropiane i kërkoi delegacionit që fondet e Bashkimit Evropian për Serbinë të ridrejtohen drejt shoqërisë civile dhe mediave të pavarura, si dhe kërkoi sanksione të personalizuara ndaj figurave të larta të partisë në pushtet.
Vizita e eurodeputetëve vjen në një moment tensioni politik në Serbi, mes akuzave për shtypje të lirive demokratike dhe përkeqësim të klimës politike në vend
