Dimri shoqërohet çdo vit me shtim të rasteve të virozave dhe gripit sezonal, ndaj mjekët rekomandojnë forcimin e sistemit imunitar përmes multivitaminave dhe një stili jetese të shëndetshëm, por gjithmonë me këshillë mjekësore.
Bluzat e bardha theksojnë se në këtë periudhë organizmi ka më shumë nevojë për vitamina dhe minerale, veçanërisht vitaminën C, kompleksin e vitaminave B, vitaminën D dhe elementë të rëndësishëm mineralë. Sipas mjekëve, përdorimi i multivitaminave ndihmon organizmin të përballojë më lehtë infeksionet virale, sidomos tek personat me imunitet të dobësuar.
Mjekët sqarojnë se suplementët janë veçanërisht të rëndësishëm për pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike, probleme me veshkat, mëlçinë apo sistemin imunitar, por paralajmërojnë se marrja e tyre pa konsultë mund të sjellë efekte anësore.
Ndërkohë, vendi po shkon drejt pikut të gripit, me një fluks të shtuar pacientësh në qendrat shëndetësore. Simptomat më të shpeshta janë dhimbjet e kokës, temperatura, kolla, lodhja dhe dhimbjet e muskujve.
Mjekët apelojnë për shmangien e vetëmjekimit dhe përdorimin e antibiotikëve pa recetë, pasi kjo mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore, sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit.
Për të kaluar më lehtë virozat e stinës, rekomandohet ushqyerje e balancuar, aktivitet fizik i moderuar, ajër i pastër dhe pushim i mjaftueshëm, si dhe ndjekja me përpikëri e këshillave të mjekut.
