Më 16 qershor, në dhjetë shkolla publike në Tiranë, Kamëz dhe Durrës nisi zbatimin projekti pilot “Shkolla Verore” – një program i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me organizatën World Vision Albania. Projekti do të zgjasë dy javë dhe do të përfshijë 1000 nxënës të arsimit fillor, por dhjetra mijëra nxënës të tjerë janë të përjashtuar nga mundësi të tilla.
Shkolla “Emin Duraku” në Tiranë është një prej institucioneve arsimore ku po zbatohet projekti pilot “Shkolla Verore”, por sipas mësuesve, klasat kanë një numër të kufizuar nxënësish dhe kapacitetet janë të kufizuara.
“Në shkollën tonë janë diku te 10 klasa mesatarisht me nga 10 nxënës. Nxënësit vijnë sipas dëshirës, por është numër i kufizuar,” thotë një mësuese, pjesë e programit.
“Baza materiale është e paguar, ushqimi po ashtu. Ne nisim rreth orës 9 të mëngjesit dhe e mbyllim diku rreth orës 13:00. Do monitorohet tani ky projekt, që të shohin nëse do shtrihet për më gjerë,” shtoi ajo.
