Ka nisur me rreth 30 minuta vonesë mbledhja e kryeministrit Edi Rama me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave.
Sipas raportimeve nga terreni, vonesa është shkaktuar nga mbërritja e kryeministrit rreth orës 10:20, çka ka shtyrë automatikisht nisjen e takimit. Megjithatë, mbledhja ka filluar dhe pritet të zgjasë për disa orë.
Kjo është mbledhja e parë e socialistëve për vitin 2026, si dhe takimi paraprirës përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar, i cili pritet të hapet ditën e hënë. Burime nga brenda mazhorancës bëjnë me dije se në fokus do të jenë sfidat politike të muajve në vijim, performanca e grupit parlamentar dhe koordinimi për axhendën ligjvënëse.
Gjithashtu, pritet të diskutohet edhe situata politike në Kuvend, në një kohë kur opozita ka kërkuar disa herë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ndërsa mazhoranca ka vendosur që kjo mbledhje të zhvillohet më 28 janar.
Në axhendë pritet të jenë edhe qëndrimet e Partisë Socialiste për komisionin e reformës zgjedhore dhe komisionin e reformës territoriale, çështje që mbeten burim përplasjeje politike.
Burime parlamentare theksojnë se takimi pritet të jetë i gjatë dhe i detajuar, me ndërhyrje nga drejtues të grupit dhe deputetë, në një moment kyç për strategjinë politike të mazhorancës.
