Pas 3 orësh debate për procedurë, por pa arritur gjuhën e përbashkët për të miratuar planin e hetimit apo kërkesat për informacion, anëtarët e mazhorancës në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë, vendosën që të mblidhen pa opozitën dje pasdite. Rreth një orë pasi u larguan nga mbledhja e komisionit e nisur paraditen e djeshme, deputeti i PS, Plarent Ndreca, i cili është nënkryetar i komisionit Hetimor, mblodhi anëtarët e tij të PS-së dhe miratuan me 8 vota pro planin hetimor. Po ashtu me 8 vota rrëzuan planin e opozitës. “Plani ynë është më i gjerë, përfshin propozimet e opozitës”, deklaroi Ndreca. Po ashtu, anëtarët e mazhorancës miratuan edhe kërkesat për marrjen e provave drejtuar institucioneve sipas kërkesave të opozitës dhe mazhorancës. Ky propozim, për fillimin e hetimeve ishte parashtruar vazhdimisht gjatë mbledhjes së sotme prej anëtarëve të mazhorancës, por u refuzua nga kryetarja Albana Vokshi dhe anëtarët e tjerë të opozitës. “Ju keni ardhur për të mos hetuar, për të penguar hetimin”, tha Albana Vokshi.
Akuzat
Ndërkohë në mungesë të dakordësisë, kaluan në akuza politike, duke akuzuar njëri-tjetrin se në komision vijnë me urdhra politikë. “Kanë sjellë planin e Ilir Beqajt e kërkojnë ta kalojnë me forcën e hetimit. Nuk ka miratim plani sot”, tha Albana Vokshi. Kësaj të fundit iu përgjigj zoti Ndreca. “Ne nuk themi që është plani i Berishës, ju bëheni militante e pandreqshme. Nuk bëhemi pjesë e propozimeve tuaja që vijnë nga ballkoni”, tha Ndreca. Ndërkaq, mes debateve, deputeti socialist Petro Koçi hodhi akuza ndaj opozitës duke thënë se po shantazhon bizneset e po iu vë gjoba. “Do kërkoj nga Kuvendi që të zbardhet ca ka ndodhur në seancën e kaluar. Kush ka përdorur fjalë të papërshtatshme të mbajë përgjegjësi. S’duhet ta fyejmë gjuhën shqipe. Ka dallim të qartë mes fjalëve. Sipas nenit 15 thuhet se komisioni nëpërmjet ekspertëve ligjorë mbledh të dhëna për çështjen. Ekspertët kanë punuar dhe të dyja palët kanë paraqitur nga një plan hetimor që është një partiak, një e ka përgatitur PD dhe e ka dorëzuar, dhe po këtë gjë kanë bërë edhe ekspertët e propozuar nga PS. Ne jemi në momentin që duhet të aprovojmë planin e hetimit. Plani i hetimit që ju keni dorëzuar është i përfshirë në planin e propozuar nga PS. Ju mesa duket jeni penduar që e keni propozuar planin dhe kërkoni të nisni një proces për mbledhjen e të dhënave që nis vetëm pasi miratohet plani i hetimit. Kam frikë se po i bëni shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba. Megjithatë një tentativë e radhës për të mbledhur komisionin, do të bëhet sërish të martën e 30 prillit, datë e përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga Albana Vokshi, pasi PS u largua nga mbledhja. Plani hetimor i opozitës parashikon që në listën e dëshmitarëve të thirret kryeministri Edi Rama, ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Koçiu, etj. Ndërsa nga mazhoranca kërkohet shtrirja e listës së dëshmitarëve me të gjithë ish ministrat e shëndetësisë që nga viti 2006, pra duke përfshirë ministrat e qeverisë Berisha 1 dhe koalicionit të mëvonshëm të tij me Metën, si dhe zyrtarë e auditues të KLSH. PS ka propozuar që hetimet të shtrihen që nga 2009. Sipas PS-së duhet të pyeten edhe Ministrat e Shëndetësisë që nga dhjetori i 2006 si dhe të gjithë ish drejtuesit e QSUT që nga 1 tetor 2009.
Reagon Vokshi
Ndërkohë kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë Albana Vokshi ka reaguar dje në rrjetet sociale, pasi mazhoranca miratoi planin e punës dhe kërkesat për informacion pa praninë e tyre. Vijimin e mbledhjes pa anëtarët e opozitës Vokshi e quan të paligjshëm. “Vijimi i mbledhjes së komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi është një veprim i paligjshëm! Ky është një uzurpim i dhunshëm dhe një shkelje arrogante e ligjit për Komisionet Hetimore e padëgjuar në 33 vite të Kuvendit të Shqipërisë! Kryetarja e Komisionit, znj. Albana Vokshi, në zbatim të Rregullores së Kuvendit e mbylli mbledhjen, e detyruar pas bojkotit te hapur dhe publik të deputetëve të PS me skenarin e tyre të paramenduar për të bllokuar me çdo kusht miratimin e kërkesave për informacion pra bllokimin e hetimit të aferës së Koncesioneve të Sterilizimit dhe Check-up. Mbledhja e vazhduar nga PS, pas mbylljes së saj nga Kryetarja e Komisionit, është e paligjshme, është një vetëgjyqësi politike mafioze dhe vendimet e saj janë të pavlefshme pra nul. Edhe plani hetimor i njëanshëm i votuar nga kjo vetëgjyqësi politike është i paligjshëm dhe me zero vlere ligjore. Akti i sotëm rikonfirmon mungesën e plotë të vullnetit të Edi Ramës për të lejuar hetimin nga parlamentit të dy prej akteve më të rënda korruptive të qeverisjes së tij si dhe mbrojtjes politike që ai dhe deputetët në mënyrë të verbër i japin korrupsionit dhe grabitjes shtetërore më të pashembullt të pluralizmit. Opozita me konseguencë dhe vendosmëri të palëkundur do të bëjë transparencë të plotë dhe deri në fund për këto afera korruptive, për të cilat as SPAK nuk ka guximin të thotë të vërtetën. Se 200 milionë euro aferë janë firmosur me dijeninë dhe vullnetin e Edi Ramës! Çdo shkelje ligji do të denoncohet deri në një për të evidentuar para çdo shqiptari inkriminimin dhe aleancën kriminale rilindëse Qeveri Kuvend në mbrojtjen e korrupsionit”, shkroi Vokshi.
