Protesta e thirrur si fillim nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përpara Bashkisë së Tiranës, për transparencë mbi projektin e Teatrit Kombëtar, e ka tejkaluar këtë kauzë duke u kthyer në tubim politik me praninë e deputetëve të Rithemelimit dhe Ilir Metës. Sot në orën 10:00 do të ketë sërish protestë. Ish-kryeministri ka bërë thirrje së fundmi për të gjitha forcat politike opozitare të jenë të pranishme në protestë. “Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite. Të lërë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte në betejën e fitores. Ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë se beteja është prova e moralit opozitar, e guximit opozitar, e opozitarizmit të vërtetë. U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies. Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj. E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj”, ka thënë Berisha.
Largimi i Veliajt
Nga ana tjetër, dje Ilda Zhulali, drejtuese e Departamentit të Jashtëm të Rithemelimit, dhe këshilltare në këshillin bashkiak të Tiranës, tha se Erion Veliaj duhej të ishte dorëhequr nga posti i Kryebashkiakut të Tiranës, pas denoncimit me fakte dhe prova për aferën ‘5D’ dhe arrestimit të drejtorëve të tij më të rëndësishëm. Zhulali theksoi se Veliaj duhej të ishte larguar. Sipas saj, qëndresa dhe presioni i qytetarëve do të finalizohet me largimin e Veliajt dhe përballjen e tij me drejtësinë. “Erion Veliaj është një kopje e shëmtuar e Edi Ramës. Erjon Veliaj kërcënoi një gazetare, Ola Xama, që e cilësoi një ‘vrasëse me pagesë’ dhe këtë kërcënim e ka bërë publikisht, mendoni se çfarë bën në prapaskenë”, tha Zhulali. Duke komentuar protestat e opozitës që kërkojnë largimin e Erion Veliajt si Kryebashkiak, Zhulali tha se këshilltarët socialist nuk i kanë dalë në krah Veliajt për aferën ‘5D’, por ata janë të detyruar që të mos miratojnë kërkesën për një interpelancë urgjente me të. “Aksioni bashkon të gjithë qytetarët që duan qytetin e Tiranës, pasi jemi kontribuues në këtë qytet. Është një vjedhje që ka arritur përmasa të jashtëzakonshme. Aksioni do të vijojë me të gjitha mënyrat, në të gjitha frontet”, tha Zhulali.
Policia njofton masat
Po ashtu, Policia e Shtetit me anë të një lajmërimi për mediat tregoi dhe masat që janë për protestën. Efektivët iu bëjnë thirrje qytetarëve që të distancohen nga dhuna. “Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e premte, 26 prill 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm”, thuhet në njoftimin e policisë. Kujtojmë se ky reagim i policisë ka ardhur si pasojë e situatës së rëndë që u shkaktua në protestën e fundit para Bashkisë. Me dhjetëra molotovë rrezikuan jetën e policëve që ishin aty për të garantuar rendin dhe sigurinë e protestës. Deputetët e Berishës, patën rol nxitës te protestuesve për të çarë kordonin, pasi vetë hapën gardhin metalik të vendosur para policëve. Në lidhje me tubimin që eskaloi në përdorim të zjarrit, reaguan në bllok ambasadat kryesore të akredituara në Tiranë. Selitë diplomatike të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Britanisë së Madhe, Italisë dënuan dhunën në protestë, sipas të cilëve nuk ka vend në një shoqëri demokratike, por përgëzuan profesionalizmin e Policisë së Shtetit për menaxhimin me sukses të situatës së paprecedentë.
