Banka Qendrore e Rusisë paralajmëron BE-në: Përdorimi i aseteve tona është shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare

Data

Banka Qendrore e Rusisë ka reaguar ashpër ndaj planeve të Bashkimit Evropian për përdorimin e aseteve ruse të ngrira, duke i cilësuar ato si tërësisht të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar të premten, Banka Qendrore ruse theksoi se gëzon të drejtën të përdorë çdo mjet ligjor në dispozicion për mbrojtjen e interesave të saj dhe bëri të ditur se ka ngritur padi kundër Euroclear, institucioni financiar me seli në Bruksel që administron një pjesë të konsiderueshme të aseteve të ngrira ruse.

Sipas bankës, çdo mekanizëm që synon përdorimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të këtyre fondeve përbën shkelje të parimit të imunitetit sovran, i cili mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.

“Mekanizmat e përdorimit të aseteve të Bankës së Rusisë, në çfarëdo forme, janë të paautorizuara, të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Reagimi vjen pas një njoftimi të Komisionit Evropian më 3 dhjetor, ku u paraqitën dy skenarë për mbështetjen financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027. Një prej tyre parashikon që BE-ja të marrë hua fondet e mbajtura nga institucionet financiare që administrojnë asetet e ngrira ruse, për t’i përdorur si garanci për një hua dëmshpërblyese ndaj Ukrainës.

Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar se një veprim i tillë do të sillte “përgjigjen më të ashpër” nga Moska, ndërsa Banka Qendrore thekson se do t’i çojë këto çështje në gjykatat kombëtare, arbitrazhet ndërkombëtare dhe institucionet gjyqësore të shteteve të huaja.

Ndërkohë, diplomatët e BE-së bëjnë me dije se qeveritë evropiane synojnë të arrijnë një marrëveshje për ta zgjatur në mënyrë të pacaktuar ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë, duke shmangur nevojën për rivotim çdo gjashtë muaj.

Banka Qendrore e Rusisë paralajmëroi se çdo vendim në këtë drejtim do të sfidohet ligjërisht në të gjitha instancat e mundshme ndërkombëtare, përfshirë edhe zbatimin e vendimeve gjyqësore në vendet anëtare të OKB-së.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related