Në një vend si Shqipëria e varfër, grabitur, copëtuar dhe shpopulluar, ku politika duket se ka marrë formën e një komedie absurde, kryeministri Edi Rama është padyshim protagonisti kryesor. Me një ambicie të paimagjinueshme, ai jo vetëm që ka rrethuar veten me poste e ofiqe të shumta, por duket se synon të zotërojë çdo aspekt të administratës shqiptare, pushtetit vendor, qendror, legjislativ, ekzekutive, apo të shtrijë edhe më thellë “duart e tij të gjata” edhe në fusha si politologjia, publicistika, linguistika, letërsia, arti, kultura, teologjia, shkenca, mjekësia, bujqësi, mjedisi, turizmi, ekonomia, drejtësia, diplomacia, sporti, etj, sikundër e ka treguar në këto 11 vite që është në qeveri.
Madje nëse do të kishte mundësi, mund të mendojmë se shefi i qeverisë Rama do të përpiqej të zëvendësonte edhe Zotin, për të qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Si kryeministër, ai është gjithashtu në krye të Këshillit të Territorit, Këshillit të Ambasadorëve, Këshillit të Investimeve, Këshillit të Komisionit Anti-Korrupsion, Këshillit të Turizmit, Këshillit të Ekonomisë, Këshillit të Kulturës, Këshillit të Sportit, Këshillit të Negociatave me Bashkimin Evropian, Këshillit të Reformave Shtet-Formuese dhe shumë të tjerave, duke krijuar një imazh të një lideri që, si duket, nuk njeh as kufij dhe as limit.
Strategjia
Së fundmi piktori Edi Rama, me tituj të shumtë si arkitekt, politikan dhe publicist, ka nisur të ngjizë marrëzinë e radhës, teksa ka vendosur të përfshihet edhe në Këshillin Kombëtar të Shkencës. Konkretisht qeveria synon ta fusë kërkimin shkencor në një kornizë të re ligjore dhe të zgjerojë subjektet që mund të kryejnë kërkimin shkencor përmes një projektligji të ri të hartuar nga Ministria e Arsimit për “Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”.
Universitetet kanë një peshë me rëndësi në këtë drejtim. Por një prej pikave më të debatueshme të projektligjit lidhet me krijimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës me 14 anëtarë, pesë ministra, nën drejtimin e Kryeministrit. Synimi i këtij këshilli mendohet të jetë orientimi dhe miratimi i politikave dhe fushave prioritare të shkencës dhe kërkimit shkencor. Ekspertët, rektorët, akademikët, pedagogët, shkencëtarët dhe studiuesit e shohin këtë projektligj si rritje të ndikimit politik mbi shkencën, ndërkohë që ka zërë se do të krijohet edhe Ministria e Shkencës që mund t’i besohet kreut të Akademisë së Shkencave, 75-vjeçarit Skënder Gjinushi, i cili Edi Ramën e ka idhull.
Rama sëbashku me pesë ministra, duket se ka marrë një vendim befasues: përjashtimin e universiteteve, shkencëtarëve dhe akademikëve nga ligji i ri që po gatuhet në mensat e mazhorancës socialiste për “Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Ishin pikërisht grupet e interesit, veçanërisht rektorët, ata të cilët ngritën alarmin dhe kundërshtuan projektligjin në fjali. Në komisionin e djeshëm për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, kreu i Konferencës së Rektorëve, Artan Hoxha tha se janë bërë ndryshime në pr/ligj pa u konsultuar me ta, ndërsa kërkoi të rishikohet drafti. Në emër të rektorëve Hoxha theksoi se pr/ligji nëse do të miratohet do ta kthente kërkimin shkencor të dirigjuar dhe do të ndikonte thellësisht keq në mirëfunksionimin e arsimit të lartë. Sipas tij, pr/ligji cenon autonominë e lirisë akademike.
