Mandati pesëvjeçar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon nesër, ndërsa vendi përballet me një ngërç politik për zgjedhjen e pasardhësit.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se është në kontakt me liderët e opozitës, përkatësisht Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, për të gjetur një zgjidhje politike. Ai paralajmëroi se takimet do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme.
Në mungesë të një presidenti të zgjedhur, detyra pritet të kalojë përkohësisht te kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Procesi mbetet i bllokuar, pasi partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Kushtetuta kërkon të paktën 80 deputetë të pranishëm dhe dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë nevojiten 61 vota.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk arrihet, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Kriza institucionale u thellua pas përpjekjeve të mëparshme për zgjedhjen e presidentit, të cilat dështuan, ndërsa edhe takimet e mëhershme mes Kurtit dhe liderëve opozitarë nuk prodhuan marrëveshje konkrete.
Opozita ka theksuar se përgjegjësia për sigurimin e shumicës bie mbi qeverinë dhe ka kërkuar një marrëveshje të gjerë politike për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të dalë nga ngërçi aktual.
