Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri akademik, Kuvendi miratoi dje ligji për studentët e Mjekësisë në Universitetin Publik, me ndryshimet e bëra pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi pjesërisht versionin e parë të ligjit që i detyronte studentët që për 5 vite pas diplomimit të mos largoheshin për të punuar jashtë vendit duke iu mbajtur ‘peng’ diplomën. Me 74 vota pro, 1 abstenim, 0 kundër u miratua Projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë”. 61 deputetë të pranishëm nuk votuan. Deputeti i PD-së Gëzim Ademaj abstenoi. Sipas ndryshimeve që u miratuan dje në Kuvend studentët e mjekësisë mund të lidhin një kontrate që i detyron që të punojnë në Shqipëri për të paktën 3 vite pas diplomimit, ose në të kundërt duhet të paguajnë të plotë tarifën e studimit.
Me ligjin e ri studentët e vitit të parë duhet të punojnë 3 vite pas diplomimit, studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë një vit. Studentët që firmosin kontratën duhet të ofrojnë shërbim të detyrueshëm për këto vite dhe diploma u jepet pasi mbarojnë këto vite punësimi të detyrueshëm. Ndryshimet ka të bëjë dhe sa i takon punësimit, neni 6 i ligjit. Me ligjin e ri studenti që përfundon programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas përcaktimeve të këtij ligji, në momentin e lindjes së të drejtës për punësimin e tij, fillimisht ndiqen procedurat për t’u punësuar në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licencuar, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve.
