Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) parashikon të zhvillojë një diskutim për procedurat e ndjekura nga Parlamenti mbi shpalljen e vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska, një zhvillim, i cili mund të krijojë me shumë mundësi një përplasje institucionale të panevojshme.
Në një njoftim të shpërndarë pasditen e së Enjtes thuhet se KED do të mblidhet mesditën e kësaj të Premte (1 nëntor 2024), ku është parashikuar, ndër të tjera, “Diskutim lidhur me njoftimin e Kuvendit që ka të bëjë me përcaktimin kohëzgjatjes së mandatit të vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese”.
Në 30 Shtator 2024, Parlamenti shpalli thirrjen për plotësimin e vakancës së plotë të krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Toska. Sipas njoftimit të Kuvendit, gjyqtari që do të plotësojë këtë vakancë do të qëndrojë në detyrë deri në nëntor të vitit 2028.
Në përgjigje të kësaj thirrjeje, në përfundim të afatit, 28 Tetor 2024, dorëzuan aplikimet 10 kandidatë.
