Bashkia e Tiranës, një nga institucionet më të rëndësishme të pushtetit lokal dhe burim i një prej fuqive më të mëdha politike e ekonomike në vend, po përgatitet për të hyrë në një kapitull të ri. Me përfundimin e periudhës tre-mujore të mungesës nga detyra të kryetarit aktual Erion Veliaj, cili është arrestuar më 10 shkurt nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike, është e pashmangshme që kryeqyteti të shkojë në zgjedhje të pjesshme. Në këtë sfond të tensionuar, brenda Partisë Socialiste ka nisur një garë e fortë dhe e heshtur për të zëvendësuar Veliajn, një figurë që dominoi jetën politike të Tiranës për afro një dekadë.
Injorimi i Ballukut
Por ajo që ndodh pas dyerve të mbyllura të PS-së tregon një realitet shumë më kompleks dhe me intriga të thella sesa mund të duket në sipërfaqe. Burime të brendshme politike konfirmojnë se zv/kryeministrja Belinda Balluku i ka kërkuar Edi Ramës të jetë kandidatja zyrtare e PS-së për Tiranën. Por kërkesa e saj është refuzuar prerë nga kryeministri. Ky refuzim nuk ishte i rastësishëm dhe nuk buron thjesht nga preferenca personale. Më shumë sesa një “jo”, ky ishte një mesazh i qartë, se, kryeministri Rama nuk ka ndërmend të lejojë që pas largimit të Veliajt, një tjetër figurë karizmatike dhe potencialisht e pavarur të marrë kontrollin e Tiranës. Refuzimi i Ballukut ndodh në një moment kur ajo shihej si një nga figurat më të fuqishme politike brenda PS-së, por edhe për faktin se ajo ka disa dosje në SPAK, çka do të thotë se kandidatura e saj nuk jep siguri. Kjo e bën atë një zgjedhje politike të rrezikshme për një lider si Rama, i cili prej vitesh ka ndërtuar një model autoritar kontrolli absolut brenda partisë.
