Ish-kreu i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, reagoi në emisionin “Oponencë” lidhur me pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe padinë që kryeministri Edi Rama i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sipas Malajt, veprimi i kryeministrit përbën një ndërhyrje të gabuar në sistemin e drejtësisë dhe është jashtë kompetencave të tij ligjore.
Malaj u shpreh se qëndrimi i Shoqatës së Gjyqtarëve për këtë çështje është i drejtë dhe se deklaratat publike të kryeministrit janë të papërshtatshme në një moment të tillë delikat.
“Sulmi mediatik i kryeministrit është sulm i drejtpërdrejtë. Nuk besoj se e ka bërë me qëllim, por mendimet juridike që i kanë shtirë në mendje për të bërë këtë padi janë të papërshtatshme në këtë moment,” tha Malaj.
“Balanca e pushteteve nuk mund të cenohet; Gjyqësori ka mekanizma të qartë kontrolli”
Duke folur për parimin e ndarjes së pushteteve, Malaj theksoi se gjyqësori ka vetëm një mekanizëm për të kontrolluar pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ: procedimin penal dhe masat e sigurimit.
Sipas tij, ndërhyrja e kryeministrit për t’i diktuar gjykatës mënyrën e veprimit është e gabuar dhe prish ekuilibrat institucionalë.
“Ne po ngutemi t’i themi gjykatës si duhet të veprojë. Ndërhyrja e kryeministrit është e papërshtatshme,” u shpreh ish-kreu i Apelit.
“Kryeministri nuk është i legjitimuar për të bërë padi; nuk ndodh në asnjë vend të botës”
Malaj u tregua i prerë në qëndrimin e tij se kryeministri nuk ka të drejtën ligjore të paraqesë padi në gjykatë.
“Për mua, kreu i ekzekutivit nuk është i legjitimuar të paraqesë padi. Nuk e ka të drejtën ligjore. Ai është futur vetë për t’u bërë palë—nuk e ka futur gjykata. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që kryeministri bën padi,” argumentoi ai.
Sipas Malajt, arsyet e këtij veprimi të kryeministrit mbeten për t’u diskutuar, por theksoi se padia është hapur në mënyrë të gabuar dhe në kohën e gabuar.
Malaj: “Së paku, Rama e pranoi se drejtësia e ka dëmtuar shoqërinë për vite”
Megjithë kritikat e forta, Malaj vlerësoi një aspekt pozitiv: pranimin nga kryeministri se sistemi i drejtësisë ka dëmtuar rëndë qytetarët përgjatë viteve të fundit.
“Ajo që më vjen mirë është që kryeministri, pas 10 vitesh, ka konstatuar se kjo drejtësi u ka bërë dëm familjeve shqiptare. Është vrarë gjyqtari në sallën e gjyqit. Shumë e rëndë ishte,” tha Malaj.
Ai theksoi se situata aktuale kërkon reflektim dhe respektim të plotë të pavarësisë së gjyqësorit, sidomos në çështje që prekin balancën e pushteteve.
