Kompania Mabco Constructions ka reaguar zyrtarisht pas tensioneve të raportuara në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se do të vijojë procesin e administrimit dhe përshpejtimit të punimeve në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve.
Në një deklaratë për mediat, kompania bën të ditur se Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve e shoqërisë “Vlora International Airport (VIA)” sh.p.k., e mbledhur më 18 qershor 2026, ka miratuar një sërë vendimesh që synojnë rikthimin e aktivitetit normal në kantier dhe përfundimin e projektit.
Sipas Mabco-s, vendimet janë mbështetur në dispozitat e ligjit për shoqëritë tregtare dhe në statutin e kompanisë, duke përcaktuar garantimin e aksesit për ortakët, kontraktorët dhe personat e autorizuar për vijimin e punimeve.
Kompania thekson se, në zbatim të këtyre vendimeve, përfaqësuesit e saj kanë kërkuar mbështetjen e institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Policinë e Shtetit dhe Avokatin e Shtetit, për të garantuar zbatimin e vendimeve dhe aksesin në kantier.
Sipas deklaratës, gjatë paraqitjes së përfaqësuesve të Mabco-s në aeroport për të kryer inventarizimin e aseteve dhe vlerësimin e situatës në terren, janë hasur pengesa nga persona që pretendojnë të veprojnë mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga administratori aktual i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Mabco argumenton se vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve janë detyruese për administratorin dhe për çdo person që vepron në emër të shoqërisë, duke shtuar se asnjë autorizim individual apo prokurë nuk mund të prevalojë mbi këto vendime.
Në përfundim të deklaratës, kompania shprehet e vendosur për të vazhduar zbatimin e kontratës dhe përfundimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa paralajmëron se çdo pengesë ndaj aksesit në kantier apo zhvillimit të punimeve do t’u referohet institucioneve kompetente për trajtim sipas ligjit.
Tensionet në kantier u raportuan më herët gjatë ditës, pas përplasjeve mes përfaqësuesve të Mabco-s dhe personave të lidhur me administrimin aktual të projektit. Autoritetet pritet të sqarojnë pozicionet ligjore të palëve dhe hapat e mëtejshëm për vijimin e punimeve në një nga projektet strategjike të infrastrukturës në vend.
