MABCO akuzon Valon Ademin për bllokimin e Aeroportit të Vlorës: Kemi përfunduar 99% të punimeve

Data

Përplasja mes kompanive që operojnë në projektin e Aeroporti i Vlorës është thelluar këtë të martë, pasi kompania Mabco Construction, e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli, reagoi publikisht ndaj akuzave të ngritura nga VIA.

Në një konferencë për shtyp në Tiranë, përfaqësuesja e kompanisë, Ornela Çuçi, deklaroi se MABCO i ka përmbushur të gjitha detyrimet kontraktuale dhe akuzoi ortakun Valon Ademi se po pengon përfundimin e projektit me mbështetjen e disa instancave shtetërore.

Sipas saj, Aeroporti i Vlorës nuk është thjesht një projekt ndërtimi, por një investim strategjik me rëndësi kombëtare dhe rajonale, ndaj çdo pengesë administrative apo institucionale cenon besimin tek shteti shqiptar dhe siguria juridike e investimeve.

“Mabco nuk është këtu për të ndaluar Aeroportin e Vlorës. Mabco kërkon që aeroporti të përfundojë në mënyrë të ligjshme, të certifikuar dhe të sigurt”, u shpreh Çuçi.

Ajo theksoi se kompania zotëron 98% të kuotave të Vlora International Airport dhe se deri më tani ka investuar rreth 92 milionë euro në projekt.

Nga ana tjetër, drejtori i kantierit, Klodian Sava, deklaroi se 99% e punimeve të parashikuara në kontratë janë përfunduar, por aeroporti nuk mund të vihet në funksion për shkak të mungesës së energjisë elektrike, internetit dhe sistemeve teknologjike të nevojshme për testimin operacional.

Ai tha se ndërtimet janë realizuar me gjeneratorë për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt me energji dhe shtoi se sistemet elektrike, serverat, kondicionimi dhe pajisjet e sigurisë nuk mund të testohen pa infrastrukturën përkatëse.

“Aeroporti nuk është vetëm një godinë, por një tërësi sistemesh dhe objektesh që duhet të funksionojnë së bashku”, deklaroi Sava.

Përfaqësuesit e MABCO-s i bënë thirrje institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës, Albcontrol dhe organet e drejtësisë, që të mos qëndrojnë në heshtje dhe të trajtojnë situatën si një çështje të sigurisë juridike dhe publike, jo thjesht si një konflikt mes partnerësh biznesi.

Situata në kantierin e aeroportit ka shkaktuar tensione edhe gjatë ditëve të fundit, ndërsa punonjësit dhe kompanitë e përfshira kanë hyrë në protestë dhe përplasje lidhur me vijimin e punimeve dhe aksesin në kantier.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related