Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet sipas programit të paracaktuar, pavarësisht tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.
Finalet e Botërorit janë planifikuar të mbahen nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Lufta në Iran dhe përhapja e saj në rajonin e Gjirit Persik kishte ngritur pikëpyetje për zhvillimin normal të turneut, duke shtuar shqetësimet edhe në FIFA.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka zhvilluar një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar përgatitjet për kompeticionin.
Pas takimit, Infantino deklaroi se ka marrë garanci nga autoritetet amerikane se Botërori do të zhvillohet normalisht dhe se organizimi i tij do të jetë i sigurt.
Në një postim në rrjetet sociale, ai theksoi se entuziazmi për turneun po rritet, ndërsa starti i tij është vetëm pak muaj larg.
Gjithashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe për pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës, pasi kombëtarja iraniane është një nga ekipet e kualifikuara.
Sipas Infantinos, presidenti amerikan ka dhënë siguri se kombëtarja iraniane do të jetë e mirëpritur në turne.
Ndërkohë, FIFA ka marrë garanci edhe nga autoritetet e Katarit për zhvillimin e ndeshjes “Finalissima”, mes kampiones së botës Argjentinës dhe kampiones së Europës, Spanjës, e planifikuar më 27 mars në Doha.
Autoritetet e Katarit kanë njoftuar rinisjen e aktiviteteve sportive në vend, të cilat ishin ndërprerë përkohësisht pas tensioneve në rajon.
