Pas propozimit nga Partia Demokratike të amendamentit lidhur me minimumin jetik në buxhetin e shtetit për vitin 2025, ka ardhur dhe reagimi nga ana e qeverisë, e cila e ka rrëzuar këtë propozim. Qeveria argumenton se nuk ka një metodologji të qartë për përllogaritjen e minimumit jetik dhe se nuk është analizuar në detaje nëse ky nivel do të përmbushte nevojat reale. Këshilli i Ministrave theksoi se buxheti i shtetit alokon 33% të shpenzimeve për skema sociale, një përqindje që është në përputhje me standardet e vendeve të tjera të rajonit.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale e vlerësoi propozimin si të pasaktë, duke theksuar se nuk përfshin të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e sigurimeve shoqërore jashtë vendit. Ajo gjithashtu e cilësoi të paqartë metodologjinë e përdorur për llogaritjen e minimumit jetik. “Minimumi jetik do kishte ndikim të drejtpërdrejt në treg. Duke nisur që nga paga minimale, do vërenim indekse që do preknin gjithë profilet e pagave. Me minimum jetik do të kuptohej kur individi mund të përballojë kostot për të jetuar duke ndikuar dhe me indeksime në drejtime të tjera”, shprehet zoti Kolindo Vjerdha.
