Një konflikt i çastit për motive të dobëta ka përshkallëzuar në përdorim armësh zjarri në qytetin e Shkodrës, ku një 26-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë pasi kërcënoi një të ri 20-vjeçar dhe qëlloi disa herë në ajër me automatik.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi në lagjen “Tre Heronjtë”, ku shërbimet e Policisë u njoftuan se një person kishte kanosur një tjetër me armë zjarri gjatë një debati.
Arrestimi brenda pak minutash
Pas marrjes së sinjalizimit, strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, të mbështetura nga patrullat e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan menjëherë operacionin për kapjen e autorit.
Falë reagimit të shpejtë, u arrit të identifikohej dhe ndalohej 26-vjeçari A.Sh., i cili dyshohet se në kulmin e konfliktit ka qëlluar në ajër me një armë automatike duke kanosur të riun Xh.G., 20 vjeç.
Arma e zjarrit u sekuestrua
Gjatë kontrollit, shërbimet policore gjetën dhe sekuestruan automatikun që dyshohet të jetë përdorur në ngjarje. Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Policia njofton se vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shtesat e mundshme të veprave penale.
