Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, ka folur lidhur me tërheqjen e socialistëve nga dëshmia e Berishës tek Komisioni Hetimor për sistemin TIMS. Teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, zoti Koçi theksoi se thirrja e Berishës në Komision Hetimor është gabim, pasi ish-kryeministri ndodhet në arrest shtëpie dhe nuk mund të thyejë masën e sigurisë, duke dala kështu hapur kundër koleges së tij socialiste, Blerina Gjylameti që kërkoi prezencën e “non-gratës” në Komision. “Ne si socialistë kemi disa principe të caktuara. Në atë Komision kam dëgjuar që është thënë që ndoshta duhej thirrur z Berisha, por do ishte gabim, sepse ai është tashmë një person në izolim dhe nuk i shërben çështjes. Një Komision hetimor duhet të arrijë në përfundime, duhet të thotë nëse koncesionet vlejnë ose jo. Komisioni Hetimor le ta japë një përfundim në fund, mund të thotë se koncesionet duhen në raste shumë specifike. Nëse janë të dobishme, duhet të thotë a duhet të ketë kufizime, që mos lejohen hapësira për abuzim. Kështu e mendoj një Komision Hetimor. Por në Shqipëri është qëllimi që si ta nxjerrim X fajtor përpara shqiptarëve. Duhen nxjerrë përfundime serioze, ku ti angazhon edhe ekspertë”, deklaroi ai. Më tej deputeti Koçi, duke folur për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, ka thënë se ajo nuk mund të mbajë përgjegjësi personale në lidhje me konfliktin e interesit mbi përftimet e bashkëjetuesit të saj. Kjo pasi sipas tij do të duhej që Xhaçka të ishte e përfshirë personalisht për të mbajtur përgjegjësi. Koçi u shpreh se kjo situatë po përdoret nga opozita, ndërsa tha se Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD, po e përdor si artificë që gjithçka të duket sikur mazhoranca po mbron zonjën Xhaçka. “Nëse në kuptimin moral ka një gjë që të ngarkon, në kuptimin ligjor nuk ka asnjë gjasë së Xhaçka të mbajë përgjegjësi individuale si deputete. Sipas Kushtetutës duhet të jesh drejtpërdrejtë i përfshirë në konflikt interesi. Zoti Bardhi bën një artificë që duke qenë i fushës e di mirë që Xhaçka nuk ka përgjegjësi, por po bën një lojë që publikut t’i bëjë përshtypje dhe duke votuar kundër të duket si mbrojtje. Ndërkohë opozita duhet të vejë kujën që Gjin Gjoni u zgjodh kreu i Rithemelimit në Lezhë”, nënvizoi deputeti Koçi.
Lojërat e PS me thirrjen e Berishës në komisionin hetimor, Petro Koçi del hapur kundër Gjylametit: Është në masë sigurie, prezenca e tij e gabuar
Data
