Ndeshjet e fundit të fazës në grupe të këtij edicioni në Ligën e Kombeve po afrojnë dhe të gjithë po bëhen gati për sfidat e nëntorit që do të përcaktojnë edhe ngjitjen e zbritjen në Liga të ndryshme, por edhe fazën play-off e play-out.
Situata më e veçantë padyshim është ajo e grupit të Shqipërisë, ku të gjithë skuadrat pjesëmarrëse kanë mundësi konkrete për të përfunduar në secilin pozicion në varësi të dy ndeshjeve të fundit.
Shqipëria do të ndeshet në dy sfidat e fundit me Çekinë dhe Ukrainën në “Air Albania” dhe pikërisht ukrainasit janë ata që kanë bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Sergei Rebrov për duelet në fjalë.
Aty bie në sy prania e shumë emrave të njohur si portierët Trubin e Lunin, por edhe Zinchenko i Arsenalit, Mudryk i Chelseat apo Dovbyk i Romës.
