Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e së dielës në Klos, ku një 33-vjeçar ka humbur jetën në lumin Mat, pranë Urës së Vashës.
Sipas informacioneve paraprake, i riu me inicialet E.L. ishte duke zhvilluar aktivitet ngjitjeje me litar në zonë, kur dyshohet se ka humbur kontrollin, është rrëzuar dhe ka rënë në lumë. Burimet paraprake bëjnë me dije se ai është zhdukur në ujë, në një zonë me gropë thithëse.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje u angazhuan shërbimet e emergjencës dhe forca të shumta kërkimi, ndërsa operacionit iu bashkuan edhe polumbarët e repartit special RENEA.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, 33-vjeçari nuk arriti të mbijetojë. Autoritetet vijojnë operacionin për nxjerrjen e trupit nga lumi dhe po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.
