Kryepolici Skënder Hita ka bërë disa ndryshime në nivelet drejtuese të qarqeve, duke zyrtarizuar emërime të reja në disa prej drejtorive vendore më të rëndësishme të vendit. Mësohet se oficeri i karrierës Ermal Muçi është emëruar drejtor i Policisë së Lezhës. Emërimi i Muçit vjen në një moment kur qarku i Lezhës ka qenë në fokus të institucioneve ligjzbatuese pas disa ngjarjeve kriminale të regjistruara gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, ndryshime janë zyrtarizuar edhe në disa drejtori të tjera vendore. Edvin Ndreu është konfirmuar përfundimisht në krye të Policisë së Vlorës, Ervin Hodaj në drejtimin e Policisë së Durrësit dhe Erion Ahmeti në krye të Policisë së Fierit. Tre drejtuesit ushtronin detyrën me komandim dhe pas përfundimit të procesit të konkurrimit dhe vlerësimit profesional kanë marrë tashmë emërimin përfundimtar në postet që mbanin prej disa muajsh.
Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë me dije se këto lëvizje janë pjesë e procesit të konsolidimit të strukturave drejtuese në nivel vendor, me synim rritjen e eficiencës operacionale, forcimin e luftës kundër kriminalitetit dhe përmirësimin e performancës së policisë në qarqet kryesore të vendit. Lezha, Vlora, Durrësi dhe Fieri konsiderohen qarqe me rëndësi të veçantë për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve dhe sfidave që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Për këtë arsye, drejtimi i këtyre strukturave shihet si një ndër përgjegjësitë më të rëndësishme brenda Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit nderon dy zyrtarë të Ambasadës Amerikane
Ndërkohë dje në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e vlerësimit, me rastin e përfundimit të mandateve në Shqipëri, të zëvendësshefes së Misionit, në detyrë, në Ambasadën amerikane dhe shefit të Zyrës Rajonale të Sigurisë, në detyrë, në këtë ambasadë. Në ceremoni mori pjesë drejtori i përgjithshëm Skënder Hita dhe drejtues të lartë të Policisë, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë nga Kathryn Hammond dhe Jonathan Ellis, gjatë viteve të shërbimit në Shqipëri.
Kontributi i të dyve ka vënë gurë të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe operacional ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve, si dhe në mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit shqiptar. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë përshëndetëse, Hita shprehu mirënjohje për Hammond dhe Ellis, për ndihmën e pakursyer për Policinë e Shtetit, dhe theksoi se mbështetja në trajnime, logjistikë dhe hetime të përbashkëta, si dhe shkëmbimi i informacionit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve financiare dhe krimeve ndërkufitare, kanë njohur rezultate gjithnjë në rritje falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer.
Hita shprehu se edhe pse misioni i tyre në Shqipëri përfundoi, miqësia dhe partneriteti me vendin tonë do të vijojnë të mbeten të forta. Gjithashtu iu uroi suksese në detyrat e ardhshme. Nga ana e tyre, Hammond dhe Ellis shprehën mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Shtetit dhe institucionet shqiptare, duke shprehur besimin e tyre te Policia e Shtetit dhe te profesionalizmi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Ata vlerësuan rezultatet e arritura në luftën kundër krimit, mikpritjen dhe mbështetjen e ofruar gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri dhe theksuan se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka qenë ndër përvojat më të mira profesionale të karrierës së tyre.
