Ambasada Amerikane në Tiranë u ka nisur një notë diplomatike institucioneve më të larta shqiptare, ku njoftohet ndërprerja me efekt të menjëhershëm e mbështetjes dhe fondeve, deri në një rishikim të dytë. Ky njoftim vjen pas Urdhrit Ekzekutiv të firmosur nga presidenti amerikan Donald Trump lidhur me ndihmën në vendet e huaja.
Sipas njoftimit të publikuar nga Albanian Post, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i paraqet qëndrimin e saj Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe dëshiron të informojë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për qëllimin e Urdhrit Ekzekutiv të Qeverisë së SHBA-ve për të ndërprerë zbatimin, detyrimet e reja dhe disbursimet e fondeve në pritje të rishikimit të të gjitha programeve të ndihmës së huaj.
Sipas informacioneve, partnerët e programit dhe zbatuesit e programeve të asistencës të financuara nga SHBA-të në Shqipëri janë duke u njoftuar për këtë veprim. Ky shërben si njoftim zyrtar për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
