Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone sfiduese ndaj paralajmërimeve të opozitës për nisjen e protestave në muajin janar, duke e cilësuar këtë si një zgjedhje të tyre dhe jo si një shqetësim për qeverinë.
Në një prononcim për mediat, Rama u shpreh se rolet politike janë të ndara prej vitesh dhe se nuk pret asgjë të re nga protestat opozitare.
“Protestat? I kemi ndarë punët prej vitesh. Unë në zyrë dhe Partia Socialiste në qeveri, ndërsa të tjerët poshtë penxheres time në rrugë. Kjo është zgjedhja e tyre, s’kam unë asnjë lidhje me këtë. Është pjesë e lirive”, deklaroi kryeministri.
Deklarata e Ramës vjen në një moment tensioni të shtuar politik, ku opozita ka paralajmëruar protesta masive për shkak të aferave të dyshuara korruptive dhe hetimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë. Nga ana tjetër, qeveria duket e vendosur të minimizojë ndikimin politik të këtyre protestave, duke i paraqitur ato si të zakonshme dhe pa efekt real në pushtet.
Qëndrimi i Ramës shihet nga opozita si një akt arrogance politike, ndërsa mbështetësit e tij e interpretojnë si shenjë sigurie dhe kontrolli të situatës. Janari pritet të tregojë nëse protestat do të mbeten “poshtë penxheres” apo do të sjellin një përplasje më të fortë politike në vend.
