Emisioni investigativ italian “Le Iene”, i transmetuar në Italia 1, ka publikuar një investigim të realizuar në bashkëpunim me emisionin shqiptar “Piranjat”, që hedh dritë mbi rrjetin e call center-ave mashtrues që operojnë në Shqipëri.
Investigimi, i realizuar nga gazetari Luigi Pelazza, është zhvilluar gjatë disa muajve dhe ka ndjekur aktivitetin e disa call center-ave në Tiranë, pas një operacioni të mëparshëm të SPAK, ku u arrestuan tetë persona të dyshuar për mashtrim.
Sipas raportimit të gazetarit, në këtë aktivitet dyshohet se janë të përfshirë rreth 25 mijë operatorë dhe konsulentë, ndërsa vlera e biznesit të mashtrimeve mund të arrijë deri në 500 milionë euro në muaj, një shifër që ai e krahasoi me fitimet e organizatave të mëdha të trafikut të drogës.
Gjatë investigimit janë intervistuar edhe disa persona që pretendojnë se kanë punuar në call center-a mashtrues. Një prej tyre, një grua 35-vjeçare e identifikuar si Sofia, tregoi se kishte nisur punën duke menduar se bëhej fjalë për një aktivitet të ligjshëm, por më pas kishte kuptuar se puna lidhej me mashtrime ndaj qytetarëve europianë.
Ajo deklaroi gjithashtu se pagat e punonjësve silleshin çdo muaj në para cash, ndërsa zyrat ku operonte call center-i ndodheshin në një ndërtesë në kompleksin Delijorgji në Tiranë.
Në investigim përmendet edhe një tjetër informator, i identifikuar si Iliri, i cili pretendon se në këtë aktivitet mund të jetë përfshirë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit të Shqipërisë. Sipas këtij pretendimi, ai do të kishte financuar hapjen e disa call center-ave përmes personave të tjerë.
Gazetari Pelazza deklaroi se i ka përcjellë informacionet edhe pranë autoriteteve italiane të antimafias, përfshirë prokurorin Nicola Gratteri në Napoli.
Në fund të reportazhit, gazetari i është drejtuar publikisht kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar ndërhyrje për të ndalur aktivitetet mashtruese që, sipas tij, dëmtojnë qytetarët europianë dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë.
Autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar zyrtarisht deri tani lidhur me pretendimet e ngritura në këtë investigim.
