Lavdrim Lita: Disa deputetë i kanë paraqitur dorëheqjen Berishës, por ai nuk ua ka pranuar

Data

Gazetari Lavdrim Lita ka deklaruar se brenda Partia Demokratike ka pasur deputetë që kanë paraqitur dorëheqjen pranë kryetarit Sali Berisha, por sipas tij, këto dorëheqje nuk janë pranuar.

Gjatë një interviste televizive, Lita tha se pakënaqësitë brenda partisë lidhen me mënyrën e organizimit dhe emërimeve në strukturat drejtuese. Sipas tij, një deputet i ka kërkuar Berishës të ndryshojë modelin e promovimit të figurave që nuk kanë arritur rezultate elektorale, duke paralajmëruar largimin nga partia në të kundërt.

“Ka deputetë që kanë dhënë dorëheqjen dhe zoti Berisha nuk ua pranon. Njëri prej tyre i ka thënë se nëse nuk përmbyset skema e emërimit të humbësve, ai do të largohet nga PD-ja. Berisha i është përgjigjur se gjërat do të ndryshojnë”, u shpreh Lita.

Gazetari argumentoi se Partia Demokratike ka nevojë për më shumë meritokraci në funksionimin e saj të brendshëm. Sipas tij, drejtimi i strukturave duhet t’u besohet atyre që arrijnë rezultate dhe fitojnë mbështetjen e elektoratit.

Lita kritikoi gjithashtu ndryshimet statutore dhe mënyrën se si janë ndërtuar disa prej strukturave aktuale të partisë, duke theksuar se sfida kryesore e PD-së mbetet rikthimi te kultura e fitores dhe krijimi i besimit te qytetarët.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur brenda opozitës po zhvillohen debate mbi reformimin e partisë, pas rezultatit të zgjedhjeve dhe diskutimeve për të ardhmen organizative të forcës më të madhe opozitare në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related