Largimi i Prodës/ Ministria e Brendshme hap garën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, aplikimet deri më 11 mars

Data

Pas largimit të Ilir Prodës, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur zyrtarisht thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Thirrja bëhet në mbështetje të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe Udhëzimit nr. 160, datë 2.9.2024, që përcakton rregullat dhe procedurat e përzgjedhjes së kandidatit.

Kriteret që duhet të plotësojë aplikanti

Kandidati duhet:

  • Të mbajë një nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
  • Të ketë shtetësi shqiptare;
  • Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë;
  • Të mos ketë marrë masa disiplinore të rënda në 5 vitet e fundit;
  • Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore;
  • Të mos jetë në konflikt interesi.

Dokumentacioni i kërkuar

Aplikantët duhet të dorëzojnë:

  • Kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm;
  • CV të përditësuar;
  • Platformë personale me objektiva (maksimumi 20 faqe);
  • Vetëdeklarim për integritetin;
  • Dëshmi penaliteti (e lëshuar jo më herët se 3 muaj);
  • Dokumentacion mbi përvojën profesionale;
  • Rezultate të vlerësimeve profesionale dhe etike;
  • Dëshmi për studime, trajnime, gjuhë të huaja dhe tituj akademikë (nëse ka);
  • Vërtetim besueshmërie nga komisariati përkatës;
  • Dokument shëndetësor;
  • Vetëdeklarime për konflikt interesi dhe për mungesë masash disiplinore në fuqi.

Procedura e vlerësimit

Brenda 7 ditëve nga shpallja, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin. Pas përfundimit të afatit, Ministria publikon listën e aplikantëve.

Komisioni i Posaçëm ka 10 ditë pune për të bërë verifikimin paraprak dhe për të përjashtuar kandidatët që nuk plotësojnë kushtet ligjore. Më pas organizohen seanca dëgjimore, pas të cilave bëhet renditja dhe dorëzimi i vlerësimeve Ministrit.

Afati i aplikimit

Aplikimet duhet të dorëzohen deri më 11 mars 2026, në adresën postare të Ministrisë së Brendshme ose në adresën elektronike zyrtare të institucionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related