“Largimi i Edi Ramës”/ Xhaferri i përgjigjet Ramës: Akte dhune të denja për një narkoregjim që mbahet në këmbë

Data

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama pas protestës kombëtare të opozitës, duke theksuar se kërkesa për largimin e tij dhe krijimin e një qeverie teknike nuk është më thjesht një qëndrim politik, por vullnet i drejtpërdrejtë i qytetarëve shqiptarë.

Sipas Xhaferrit, protesta e 24 janarit shënoi një pikë kthese, ku mijëra qytetarë dolën në shesh për të kundërshtuar korrupsionin, kapjen e shtetit dhe dhunën institucionale që, sipas tij, ka shndërruar Shqipërinë në një regjim narkotik.

Ai akuzon Ramën për përpjekje për të delegjitimuar protestën përmes propagandës dhe shpifjeve, ndërsa në terren, sipas tij, policia ushtron dhunë të paprecedentë ndaj qytetarëve, përfshirë të mitur, studentë dhe të moshuar.

“Qeveria teknike është kusht i panegociueshëm që kanë vendosur shqiptarët”, shprehet Xhaferri, duke theksuar se arrestimet masive, përdorimi i gazit lotsjellës të skaduar dhe keqtrajtimi i protestuesve janë akte të papranueshme në një shtet që pretendon demokraci.

Sipas tij, skenat e dhunës në Tiranë e kanë kthyer kryeqytetin në një simbol të represionit shtetëror, ku qytetarët u përballën me metoda që, siç thotë ai, i ngjajnë regjimeve autoritare dhe jo një vendi që aspiron integrimin europian.

Xhaferri thekson se qytetarët treguan dinjitet dhe vendosmëri përballë presionit dhe dhunës, duke dëshmuar se nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromis me një pushtet që, sipas tij, mbahet në këmbë nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Në përmbyllje, ai deklaron se koha për largimin e Edi Ramës ka ardhur, duke shtuar se opozita dhe qytetarët duhet të qëndrojnë në lartësinë e pritshmërive për të çuar përpara ndryshimin e kërkuar nga shumica e shqiptarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related