Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka komentuar protestat që prej javësh zhvillohen në Tiranë kundër qeverisë dhe projektit të investimit në Zvërnec, duke theksuar se protesta është një instrument legjitim i demokracisë, por nuk mund të zëvendësojë vullnetin e shprehur përmes zgjedhjeve.
E ftuar në një studio televizive, Kushi u ndal te pesë kërkesat e protestuesve, mes të cilave krijimi i një qeverie teknike, ndryshimet kushtetuese dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit, duke argumentuar se shqetësimet e qytetarëve duhen dëgjuar, por jo të zgjidhen duke anashkaluar institucionet e dala nga vota.
“Protestat janë një instrument i demokracisë. Ne i respektojmë kërkesat e tyre. Duhet t’i dëgjojmë dhe të reflektojmë, por kjo shumicë ka marrë mandatin nga mbi 856 mijë shqiptarë për të çuar përpara procesin e integrimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Kushi.
Sipas saj, pjesëmarrja e qytetarëve në protesta dëshmon se në vend ekziston liria për të shprehur pakënaqësinë, ndërsa shtoi se kjo nuk mund të zëvendësojë legjitimitetin e institucioneve të zgjedhura.
“Është e vërtetë që ka shumë qytetarë në shesh dhe kjo tregon se njerëzit nuk kanë frikë të protestojnë. Disa nga shqetësimet e tyre mund të jenë të drejta, por ata nuk mund të përfaqësojnë 856 mijë qytetarët që kanë votuar Partinë Socialiste dhe procesin e integrimit europian”, deklaroi ajo.
Deputetja socialiste theksoi gjithashtu se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut dhe jo përmes ultimatumeve.
“Unë mendoj se duhet të ketë dialog. Nuk e imagjinoj një protestë që refuzon dialogun dhe vendos vetëm ultimatume. Kërkesat mund të jenë të drejta, por rruga e zgjidhjes nuk është zëvendësimi i një qeverie të dalë nga vota me struktura të dala nga protesta. Kjo nuk ka sens”, përfundoi Kushi.
