Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja tronditëse mbi hetimet e SPAK që kanë çuar në marrjen si të pandehur të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci. Sipas saj, gjithçka nisi nga sekuestrimi i disa pajisjeve elektronike që i përkisnin ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi.
Gjatë një emisioni televiziv, Lala deklaroi se në banesën e Berberit janë gjetur dhe sekuestruar tre telefona – një BlackBerry, një iPhone dhe një Samsung – të cilët kanë rezultuar kyç për zbardhjen e skemave të dyshuara të korrupsionit në sektorin e infrastrukturës.
“Pa telefonat e Evis Berberit, ndoshta sot nuk do të kishim çështjen Balluku. Ato pajisje nxorën të dhëna shumë të rënda për persona të rëndësishëm”, u shpreh Lala.
Sipas saj, komunikimet dhe materialet e gjetura në këto telefona kanë çuar SPAK-un drejt kontrolleve të shumta në banesa dhe zyra biznesmenësh, të dyshuar si përfitues të tenderave të paracaktuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe institucionet vartëse.
Një nga emrat e përmendur është Arbër Abazi, për të cilin gazetarja theksoi se jo vetëm ka përfituar tendera publikë, por ka edhe lidhje nepotike me zv/kryeministren Balluku, përmes bashkëjetesës me një të afërme të saj. Sipas Lalës, ky fakt ngre dyshime serioze për konflikt interesi dhe shkelje të ligjit.
Hetimet, sipas gazetares, nuk janë ndalur vetëm te Balluku dhe Beci, por janë zgjeruar edhe te kompani të tjera të mëdha ndërtimi që kanë përfituar fonde publike, ndërsa kontrollet vijojnë me intensitet.
“Fillimisht u fol për Gjokën e Shtufin, sot kemi Ballukun dhe Becin. Dosja po zgjerohet dhe po thellohet çdo ditë”, tha Lala, duke shtuar se SPAK po ndërton një panoramë të plotë të mënyrës se si funksiononte skema e tenderave.
Sipas saj, çështja e infrastrukturës dhe e rrugëve pritet të jetë një nga dosjet më të rënda që mund të tronditë qeverinë, ndërsa provat e siguruara nga pajisjet elektronike po konsiderohen vendimtare për ecurinë e hetimit.
