Kyriakos Mitsotakis prezanton paketë 500 mln € për qytetarët, subvencione për naftën dhe ndihma për familjet e pensionistët

Data

Qeveria e Greqia ka shpallur një paketë mbështetëse prej 500 milionë eurosh për të lehtësuar qytetarët përballë kostove të jetesës. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se fondi vjen si rezultat i suficitit ekonomik dhe synon të mbështesë familjet, pensionistët, fermerët dhe qiramarrësit.

Ndër masat kryesore është zgjatja e subvencionit për naftën me 20 cent për litër edhe për muajin maj, si dhe subvencionimi i plehrave kimike me 15% deri në gusht, një mbështetje që prek rreth 250 mijë fermerë.

Familjet me fëmijë do të përfitojnë 150 euro për çdo fëmijë, pagesë që do të shpërndahet automatikisht në fund të qershorit dhe që pritet të përfshijë rreth 80% të familjeve me fëmijë në vend.

Një tjetër masë është ndihma vjetore prej 300 eurosh për pensionistët me të ardhura të ulëta, personat e pasiguruar dhe ata me aftësi të kufizuara. Kjo skemë do të zbatohet çdo nëntor dhe pritet të përfshijë rreth 1.9 milion përfitues.

Paketa parashikon edhe lehtësime për qiramarrësit, duke rritur kufijtë e të ardhurave dhe duke përfshirë mbi 1 milion qytetarë në skemën e rimbursimit të qirasë.

Në fokus janë edhe masat për borxhin privat: zhbllokimi i llogarive bankare pas shlyerjes së 25% të detyrimit, përfshirja e borxheve të vogla në mekanizma lehtësues dhe mundësia e shlyerjes së detyrimeve në deri 72 këste.

Sipas qeverisë, këto masa pritet të hyjnë në fuqi së shpejti dhe synojnë të japin një mbështetje të drejtpërdrejtë për ekonominë familjare dhe aktivitetin ekonomik në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related