Në 24 orëshin e fundit të afatit për të bërë prapësimet mbi përfundimin e hetimeve të SPAK për dosjen e sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj “ u kyç” për 7 orë, ditën e djeshme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për t’u njohur me aktet e dosjes së “Sterilizimit”. Por nga 700 fashikuj mundi të lexonte vetëm 15 e se kërkonte të pyetej sërish nga hetuesit. “Lexova vetëm 15 fashikuj. Kemi paraqitur memot siç thashë para 10 ditësh. Kemi bërë kërkesa për veprime shtesë hetimore. Kemi bërë kërkesë që të jap deklarimet e mia dhe të pyetem sërish nga hetuesit. Legjislacioni i brendshëm i SPAK që rregullon kostot e procedurave është online. Në këtë fazë praktikisht kam pajtuar një avokat dhe deri në përfundim të gjyqit i përballon studio avokatisë. Dhe në fund bën faturat. Secili prej nesh në proces për të marrë vetëm një usb duhet të paguajë 10 milionë lekë. Këto janë tarifat në fuqi për të cilat jemi të detyruar të ndjekim atë proces që kemi filluar para disa javësh”, deklaroi Beqaj për mediat pas daljes nga SPAK. Por teksa shohim që janë dosja është voluminoze pra shkon diku tek 700 fashikuj, gjasat janë që pozitat e ish-ministrit Ilir Beqaj të lëkunden nëse hetimi i SPAK do ta përfshirë atë direkt në aferën e koncesionit të “Sterilzimit”.
Detajet
Beqaj nuk pranoi të paguajë për të marrë dosjen me 700 fashikuj që SPAK po bëhet gati t’ia dorëzojë GJKKO-së me kërkesën për të filluar gjykimin pasi duhej të paguhej 1 milionë. Edhe avokati i Beqajt konfirmoi faturën e kripur rreth 1 milionë lekë të reja (10 milionë leke të vjetra) “Pasi lexuam dy vendimet në kërkuam që të merrnim kopjen e akteve siç na e njeh të drejtën ligji. U përballëm me faturën 10 mln lekë të vjetra vetëm për materialet e skanuara PDF. Është dita e fundit për të shqyrtuar 700 fashikujt, deri tani jemi te fashikulli numër 2. Vendimi për përfundimin e hetimeve. Gjithë të pandehurit e tjerë refuzuan të paguajnë këtë fature dhe bëmë kërkesë të njihemi me aktet e dosjes fizikisht. Na u dha një afat 24 orë për të shqyrtuar 700 fashikujt”, deklaroi Ermal Yzeiraj. Për avokatin situata është skandaloze dhe të pakuptueshme. “Është qesharake t’i kërkosh një pensionisti, siç është Petro Mersini, të paguajë 10 mln lekë për tu informuar. Ka dhe një episod me personat që ndodhen në qeli, si mund të lexojë aktet zoti Rrjepaj dhe Rrapaj kur në burg nuk lejohet laptopi, dua të tregoj ironinë e kësaj që po ndodh…. Do të lexojmë sa të mundemi”, tha avokati Yzeiraj. E premtja (29 mars), pra sot është dita e fundit kur mund të dorëzojnë pretendimet për hetimet e Prokurorisë para se dosja të paraqitet në GJKKO për nisjen e gjykimit.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se ish-ministri Ilir Beqaj është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza për shpërdorim detyre. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë. Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv/ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.
