“Ky Parlament po bëhet i çmendur”, Boçi shpërthen ndaj Peleshit: 19 projektligje në një ditë është tallje me shqiptarët

Data

Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione të forta politike, pasi mazhoranca ka futur për diskutim dhe votim 19 projektligje brenda një dite, me 22 pika në rendin e ditës, çka ka shkaktuar reagimin e ashpër të opozitës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, akuzoi drejtpërdrejt mazhorancën dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi se po e shndërrojnë Kuvendin në një institucion qesharak dhe pa funksion demokratik.

“Ky Kuvend po kthehet në një hapësirë të çmendur. Ky Parlament po bëhet i çmendur dhe qesharak. Nuk është normale që 19 projektligje të kalohen në një seancë të vetme,” deklaroi Boçi nga foltorja.

Sipas tij, ngarkesa e tepruar nuk ka asnjë justifikim dhe synon vetëm kalimin mekanik të ligjeve, pa debat, pa transparencë dhe pa dëgjuar opozitën apo grupet e interesit. Boçi theksoi se projektligje të ndjeshme, që prekin median, dhunën, të drejtat e qytetarëve dhe liritë themelore, nuk mund të trajtohen si procedura rutinë.

“19 projektligje në një ditë janë sa për të kaluar radhën, sa për të gënjyer shqiptarët. Kjo është për t’ia marrë frymën parlamentit. Ky nuk është Parlament,” u shpreh deputeti demokrat.

Ai propozoi shtimin e seancave plenare, në mënyrë që projektligjet të shqyrtohen një e nga një, me debat real dhe përgjegjësi ligjvënëse. Sipas Boçit, edhe Konferenca e Kryetarëve ka pasur kërkesa për shtim të seancave, por mazhoranca ka zgjedhur rrugën e imponimit.

“Shtoni seancat, mos e çmendni më këtë Parlament,” ishte apeli i tij drejtuar drejtuesve të Kuvendit.

Pas reagimit të opozitës, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, pranoi nevojën për shtyrjen e disa projektligjeve, duke argumentuar se disa prej tyre kërkojnë më shumë diskutim dhe harmonizim.

Megjithatë, opozita vijon të akuzojë mazhorancën se po e përdor Kuvendin si një makinë votimi, duke shkelur parimet e debatit parlamentar dhe duke minuar rolin e institucionit më të lartë përfaqësues të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related