Në seancën e sotme plenare në Kuvend janë miratuar me votat e socialistëve 10 projekt-ligjeve, ku mes tyre përfshihej “Paketa e Maleve”, hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë dhe shtyrja e afateve të Komisioneve “Xhafaj” dhe “Braçe”.
Ra në sy vota pro e deputetit opozitar Bujar Leskaj, si dhe i atij të PDIU-së Nusret Avdulla në disa prej projektligjeve dhe në veçanti atë për hapjen e zyrës së Parlamentit Evropian në Shqipëri për Bankën e Investimeve. Edhe pse duhet theksuar se Nusret Avdulla tashmë mund të konsiderohet si deputet socialist, pasi edhe në zgjedhjet e 11 Majit do të garojë në listën e hapur t PS-së në Fier.
Më konkretisht, sot Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 1 abstenim dhe 1 votë kundër projektligjin “Për Paketën e Maleve”, i cili parashikon lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin, sikurse edhe politika fiskale stimuluese për investimet në zonat malore.
Ky projekt-ligj u ndalua një herë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili sipas tij, cenobte fushatën elektorale para zgjedhjeve dhe bëhej me qëllim nga mazhorana për të shtuar votat, por vendimi i tij u rrëzua nga KAS.
Në seancën e sotme plenare, Kuvendi miratoi me 74 vota pro dhe 1 votë kundër edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabit, për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City”.
