Sot nis një nga përplasjet më të forta institucionale mes Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe qeverisë, ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë për pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet në qendër të akuzave dhe hetimeve që kanë ndezur debatin politik. Mësohet se Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet ditën e sotme, ku do të përcaktojë nëse padia e kryeministrit Edi Rama përmbush kriteret për t’u kaluar në seancë, duke shënuar kështu hapin e parë të një beteje juridike me shumë tension. Tre gjyqtarët e caktuar, përfshirë relatorin Sandër Beci, po analizojnë dokumentacionin për të përcaktuar nëse çështja duhet të shkojë për diskutim të plotë para trupës gjyqësore. Burime pranë institucionit thanë për “Abc News” se seanca e parë e mundshme është në datën 2 dhjetor, një datë që tashmë shihet si momenti kyç për të përcaktuar fatin e funksionimit të Këshillit të Ministrave. Qeveria ka argumentuar se pezullimi i Ballukut pengon veprimtarinë ekzekutive dhe krijon një bllokim të funksioneve që ajo mban në mungesë të kryeministrit. Sipas padisë, vendimi i Gjykatës së Posaçme është konsideruar nga qeveria si cenim i imunitetit të një anëtareje të Këshillit të Ministrave, duke u interpretuar si shkelje e ndarjes së pushteteve. Kryeministri e ka cilësuar masën si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat ekzekutive, duke theksuar se kjo situatë krijon precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve. Nga ana tjetër, pritet që SPAK të vijojë hapat e tij proceduralë, ndërsa përplasja e argumenteve ligjore vetëm sa po shton tensionin politik. Por kjo panoramë, tregon se çështja “Balluku” është kthyer tashmë në një test të rëndësishëm për balancën e pushteteve në vend, ndërkohë që opinioni publik ndjek me vëmendje çdo lëvizje të palëve. Vendimi i Kushtetueses nuk do të ndikojë vetëm në rikthimin ose jo të saj në detyrë, por edhe në mënyrën se si do të funksionojë raporti mes qeverisë dhe drejtësisë në të ardhmen. Për shumë juristë, ky është një moment që mund të rikompozojë ekuilibrat institucionalë dhe të përcaktojë se deri ku shkon fuqia e secilit organ. Ndërkohë, trupa gjyqësore përballet me presionin e një debati publik të ndezur, duke kërkuar të mbajë një pozicion të pavarur dhe të qëndrueshëm. Megjithatë çdo hap procedural që do të ndërmerret në ditët në vijim shihet si vendimtar për rrjedhën e procesit. Në të dyja kampet mbizotëron qëndrimi se ky është vetëm fillimi i një beteje të gjatë dhe të ndërlikuar. Pritshmëritë janë të larta dhe përplasja pritet të thellohet ndërsa çështja kalon në fazën e radhës të shqyrtimit kushtetues.
Reagon PD
Ndërkohë kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar dje në konferencën me gazetarët vendimin e gjykatës për pezullimin e Lubisë, duke theksuar se ai është i bazuar në ligj dhe se nuk ka shkelur asnjë kompetencë proceduriale. Berisha argumenton se, në të njëjtën linjë, gjykata duhej të pezullonte edhe kryeministrin Edi Rama, duke denoncuar, sipas tij, veprime të përbashkëta të një grupi që përfshin zyrtarë të lartë dhe drejtues të institucioneve, të cilët sipas tij nuk janë kualifikuar si “grup i strukturuar kriminal”. Ai nënvizon se kërkesa për pezullim për Lubinë është ushtrim i plotë i kompetencës ligjore dhe reflektim i kuadrit të ri ligjor të Republikës së Shqipërisë. “Dua të garantoj çdo shqiptar dhe unë do të dal para jush të ua faktoj se Gjykata speciale dhe prokuroria në vlerësimet e tyre nuk kanë shkelur asnjë ligj, me kërkesën që kanë bërë për pezullimin nga detyra. Me kërkesën për pezullim nuk ka asnjë shkelje ligjore. Ka ushtrim të plotë të kompetencës në zbatim të ligjit të procedurës penale. Ata që përpiqen, vetë ideja se ka marrë pushtetin e kryeministrit, i them atij hajduti, je ti që ke vjedhur paratë, por atyre mirë ua bënë që nuk lëshuan edhe ndaj teje, të njëjtin urdhër si ndaj Lubisë. Ç’kompetencë ka marrë? Kompetenca jote qenka për të mbrojtur hajdutët. Kompetenca jote qenka për të shfrytëzuar postin për të vjedhur paratë e qytetarëve, siç ke vjedhur. Pra se çfarë do të vendosin, unë i kam shprehur konsideratat e mia për atë gjykatë, nuk dua të shkoj më tutje. Por akti i parë për mendimin tim, që gjykata duhej të bënte ishte të refuzonte shqyrtimin e kërkesës sepse ai vendim është në përputhje të plotë ligjore me kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë. Madje me kuadrin e ri ligjor të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi dje Berisha.
