Përgjysmimi i rendimentit dhe rritja e pagesave për punëtorët kanë shtrenjtuar sivjet koston prodhuese të vajit të ullirit. Disa përpunues po ngurrojnë të tregtojnë me çmim më të lartë se vjet, pasi rrezikohet të luhatet konsumi. Por nëse temperaturat e motit do të vijojnë të mbeten të larta, për ta kjo shihet si faktor negativ, që do të ndikojë më tej te rendimenti. Për rrjedhojë, pritet rritje e çmimit. Përpunuesit kërkojnë zgjidhje për koston me lehtësi fiskale në TVSH.
Kastrijot Çuedari, së bashku me bashkëshorten e tij, Dezdemona, me eksperiencën e tyre 30-vjeçare në sektorin e përpunimit të ullinjve, prej 8 vitesh në fabrikën e ngritur në fshatin Otllak, prodhojnë vajin “extra verxhin” prej ullirit kokërrmadh të Beratit.
I njohur në zonë edhe si “babai i përpunimit të ullirit”, z. Çuedari pohon se deri tani, rezulton se sasia e prodhuar e ullinjve është më e lartë se viti paraardhës.
Por problem është rritja e kostos së prodhimit, nga rendimenti i ullinjve, që pothuajse është përgjysmuar. Përveç kësaj, për vitin 2024 te kultivuesit e ullinjve janë rritur shpenzimet për krahun e punës, që së bashku me rënien e rendimentit, mbeten faktorët kryesorë që kanë ndikuar te shtimi i kostos.
“Këtë vit, në zonën e Beratit, sasia e prodhuar e ullinjve është më e lartë krahasuar me 2023. Por problem është rënia e rendimentit.
