Pandehmat e shumta për të pandehurin e ri të SPAK-ut kanë kohë që mbajnë pezull, politikanët, tifozët politikë, gazetarët pro e kundër, qytetarët dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
Por ajo që sundon mbi të gjitha është raporti i tij me Ramën. Më saktë lëshimi apo dorëzimi që ky i ka bërë tashmë Veliajt.
E gjitha në formën e një pyetje të thjeshtë: A e shiti Rama Veliajn, siç ka bërë me Ahmetajn, Kokën apo dikë tjetër, apo nuk po e lëshon akoma?
Parë në histori, dashuri-urrejtja midis tyre ka tone sa dramatike aq dhe qesharake, në themel të së cilës është lufta për pushtet.
Ndërsa me të tjerët Rama e kishte më të lehtë, me Veliajn pengesat ishin e janë më serioze, ndonëse faktet e denoncuara nga opozita dhe protestat e saj pa mbarim mbetën tepër sfiduese.
Së pari midis tyre qëndronte një rregullator i afërm me të dy, por që më shumë i hante kërraba nga Veliaj. E as më shumë e as më pak ky ishte “vëllai” i të dyve, Alexi Sorros.
Qortimet e tij i bënin të dy të qëndronin gati-tu përballë padronit.
Së dyti, Veliaj kishte pushtet autonom me të qenurit Kryetar Bashkie dhe zotëronte interesa dhe para marramendëse sikurse Rama. Influenca e tij shtrihej deri në SPAK e përtej, deri tek miqtë politikë e jo politikë të përbashkët.
Së treti, Veliaj kishte ndërtuar rreth tij një grupim poltikanësh me zë, pasuri e influencë direkte deri në sistemin e drejtësisë.
E gjitha kjo krijonte një lloj ekuilibri të tendosur por të dëshiruar nga të dy, megjithëse secili ruante momentin për ta kafshuar tjetrin.
SPAK nga ana e tij nuk dëshironte të kapërcente ekuilibrin e brishtë duke parë gjithmonë nga njëra anë me siklet në sy “shefin” për të kuptuar dëshirën e tij dhe nga ana tjetër duke hedhur hapa me shumë kujdes që veprimet të mos sillnin pasojën e pandreqshme për “mikun” e “kolegun” e Bashkisë.
Por gjërat duket se precipituan më shpejt nga sa mendohej dhe ekuilibri u prish.
“Tersi” erdhi nga atje ku të dy luanin mbështetjen. Nga Amerika. Humbja e të majtës ekstreme dhe specifikisht dobësimi i perandorisë së “vëllait” i nxorri zbuluar të dy.
