Deputeti i Partia Demokratike, Saimir Korreshi, ka publikuar një video-denoncim nga zona e Hyzgjokajt në Lushnjë, ku shfaqet ndotja pranë një liqeni të kthyer, sipas tij, në një landfill mbeturinash.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, Korreshi ironizon situatën dhe akuzon bashkinë për neglizhencë, ndërsa kamera fokusohet tek grumbujt e mbetjeve urbane, inerteve dhe sendeve të hedhura buzë liqenit.
“Shiko këtu wc, bide, divan, dyshek, jastëk. O Karakaç, këtu flini gjumë kur vini si të deleguar?”, dëgjohet të thotë deputeti në video.
Saimir Korreshi kritikoi edhe standardet e menaxhimit të mbetjeve, duke deklaruar se me këtë gjendje Shqipëria nuk mund të pretendojë integrimin europian.
“Nuk hyhet në Europë kështu, nuk të lënë në Europë me këto plehra”, u shpreh ai.
Deputeti i opozitës i bëri thirrje Bashkia Lushnjë të ndërhyjë për pastrimin e zonës dhe mbrojtjen e mjedisit.
