Kemi hyrë zyrtarisht në muajin e Kombëtares, pasi kuqezinjtë do të luajnë dy ndeshjet e fundit kualifikuese për në Kupën e Botës.
Në datën 13 nëntor, mund të vendoset gjithçka, në ditën që kuqezinjtë luajnë ndaj Andorrës. Për të siguruar biletën për në “Play Off”, Shqipëria duhet të fitojë në Andorra e njëkohësisht, Anglia të marrë një fitore kundër Serbisë në Londër. Por, Kombëtarja A nuk do të jetë skuadra e vetme që zbret në fushë duke qenë se edhe Shqipëria U19 ka kualifikueset e Europianit, të cilat luhen në Tiranë.
KOMBËTARJA A- Kuqezinjtë do të synojnë për herë të parë që të kualifikohen dhe kanë shanse reale për të siguruar vendin e dytë në grupin K. Fitorja e pak kohëve më parë në Leskovc, i ka mundësuar Shqipërisë që të ketë gjithçka në dorën e saj për në Botëror. Në datën 7 nëntor, trajneri Silvinjo do të publikojë listën me futbollistët e grumbulluar për dy sfidat e radhës, ndërkohë që në datën 10 nëntor do të nisin zyrtarisht përgatitjet për sfidën e 13 nëntorit. Kuqezinjtë do të grumbullohen në Barcelonë për ndeshjen e parë dhe pasi të mbyllin sfidën me Andorrën, do të kthehen në Tiranë për Anglinë. Shqipëria U21- Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi do të luajnë 2 ndeshje miqësore në muajin nëntor. Fillimisht, Shpresat do të përballen me Moldavin U21 në transfertë në datën 13 nëntor, duke nisur nga ora 15:00, teksa në datën 17 nëntor, kuqezinjtë luajnë miqësoren e dytë dhe të fundit për këtë muaj. Shqipëria do të luajë në “Elbasan Arena” kundër Ukrainës U21, takim që do të nisë në orën 18:00. Shqipëria U21 është zyrtarisht e kualifikuar për në Europianin e vitit 2027 dhe deri atëherë, Bushi do të ketë mundësi që të testojë ekipin vetëm në ndeshje miqësore.
