Kultura është lënë thuajse tërësisht jashtë vëmendjes së takimeve elektorale që po zhvillohen në çdo cep të vendit për zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që vetëm pesë grupime politike i kanë përfshirë ato në programet e tyre.
Në një studim të realizuar në vitin 2024 mbi mekanizmat publikë të financimit për artet pamore, shqetësimet kryesore të artikuluara nga komuniteti artistik ishin: niveli i ulët i financimit, mungesa e transparencës në menaxhimin e fondeve dhe centralizimi i vendimmarrjes.
Buxheti i vitit 2024 për “Artin dhe Kulturën” ishte rreth 2.9 miliardë lekë ose gati 0.4% e buxhetit total të shtetit të planifikuar në 737 miliardë lekë. Dukshëm, buxheti për artin në Shqipëri mbetet në nivele tejet të ulëta në krahasim me vendet e BE-së, ku mesatarja për vitin 2023 ishte 1.2% e PBB.
Në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, buxheti i Shqipërisë për kulturën është disa herë më i ulët, diferencë e cila theksohet edhe më shumë kur flasim për financimin e projekteve artistike. Buxheti për ish-Ministrinë e Kulturës ka qenë më i ulëti ndër dikastere, ashtu siç ka qenë tepër i ulët edhe ai i institucioneve publike në varësinë e saj. Për të fundit vlen të përmendet dorëheqja e ish-drejtorit të TKOB, Ilir Kerni, në vitin 2016 pikërisht për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm për realizimin e detyrës së tij.
Kritikat kanë qenë të shumta edhe për menaxhimin e fondeve në 12 vitet e fundit, kur vërehet një qendërzim dhe ndikim politik i tepërt në kulturë. Disa nga rastet më ilustruese janë projektet e përqendruara te vetë figura e kryeministrit ose hapësira të hapura përreth tij si ajo e COD-it, shfuqizimi i Qendrës Kombëtare të Arteve në 2014, përqendrimi i projekteve me thirrje në ish-Ministrinë e Kulturës, shembja e Teatrit Kombëtar, si dhe përdorimi politik në kohë fushate i institucioneve publike të kulturës. Vetëm vitin e fundit është vënë re një hapje e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndaj dialogut me komunitetin artistik, punonjësit e kulturës dhe organizatat e angazhuara në rekomandime për politikë-bërjen në sektorin e kulturës dhe artit. Ndërsa në fushën e trashëgimisë kulturore, qeveria ka ndjekur një strategji që prej vitit 2018 me ligjin e ri për trashëgiminë kulturore, i cili synon ta kalojë menaxhimin e trashëgimisë kulturore në duart e fondacioneve të pavarura, si rasti i Butrintit, një rast ky i paprecedent në botë.
