Shumë deputetë që nuk arritën të siguronin një vend në Kuvend ose që nuk u përfshinë në lista si zgjedhje të kryetarit, do të largohen nga organet drejtuese të Partisë Demokratike.
Ndryshimi i grupit parlamentar do të imponojë rifreskimin e përbërjes së kryesisë së Partisë Demokratike dhe komisioneve parlamentare në nisje të sesionit të vjeshtës, duke përshtatur strukturat me realitetin e ri politik që prodhuan zgjedhjet.
Sali Berisha i dha pushime pa afat mbi gjysmës së deputetëve të grupit parlamentar, të cilët në vjeshtë nuk do të kenë mundësi të ulen në bankën e Kuvendit e, për pasojë, do të zhvishen edhe nga pozicionet që mbanin në parti. Konfigurimi i ri i grupit kuvendor do të prodhojë një përbërje të re të një tjetër organi vendimmarrës: Kryesisë së Partisë Demokratike, ku shumë figura do të largohen për shkak se nuk do të gëzojnë më pozicionet drejtuese në komisionet parlamentare.
