Të tjera zhvillime kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik në Durrës, ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë të mitur, duke plagosur edhe një tjetër.
Gazetarja Xhensila Kodra, gjatë një analize televizive, ka zbuluar detaje mbi aspektin ligjor të çështjes. Sipas saj, vetëm për akuzën e shkaktimit të vdekjes nga aksidenti rrugor, Kodi Penal parashikon një dënim nga 5 deri në 20 vite burg.
Por ky nuk është i vetmi penalitet që rëndon mbi të dyshuarin. Ai përballet edhe me akuza të tjera, si drejtimi i mjetit në gjendje të dehur dhe largimi nga vendi i aksidentit, çka mund të ndikojë në rëndimin e dënimit përfundimtar.
Sipas informacioneve të bëra publike, pas ngjarjes autori është larguar nga vendi i aksidentit dhe më pas është përballur me banorë të zonës. Në dëshminë e tij para policisë, ai ka pretenduar se u largua nga frika e reagimit të qytetarëve.
Fillimisht, i dyshuari ka deklaruar se nuk mbante mend asgjë nga momenti i ngjarjes, por më vonë ka pranuar se ishte në gjendje të dehur. Në vijim të marrjes në pyetje, ai ka shprehur pendesë për ngjarjen, duke pranuar se ka shkaktuar pasoja të rënda për familjet e viktimave dhe për fëmijën tjetër që ndodhet në spital.
Ndërkohë, hetimet vijojnë, ndërsa pritet që prokuroria të përcaktojë në detaje akuzat dhe masën e dënimit që do të kërkohet në gjykatë. Ngjarja ka shkaktuar reagim të gjerë publik dhe ka rihapur debatin për ashpërsimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre në raste të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.
