Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosova.
Procesi i regjistrimit ka nisur më 6 maj dhe mbyllet këtë të shtunë, ndërsa qytetarët që jetojnë jashtë vendit mund të zgjedhin të votojnë përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Sipas njoftimit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërsa votimi fizik në ambasada dhe konsullata do të mbahet më 6 qershor, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Paralelisht me regjistrimin e diasporës, prej datës 6 maj ka nisur edhe periudha për ndërrimin e qendrave të votimit brenda komunave, si dhe për verifikimin apo kundërshtimin e pasaktësive në listën zgjedhore.
KQZ u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontrollojnë qendrën e tyre të votimit dhe të përfundojnë çdo procedurë brenda afatit të përcaktuar.
“Verifiko Qendrën tënde të Votimit! Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 17 maj 2026”, thuhet në njoftimin zyrtar të KQZ-së.
Institucioni zgjedhor ka miratuar gjithashtu Listën Preliminare të Votuesve, e cila përmban 2,092,202 votues, ose 15,912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Ndërkohë, për zgjedhjet e 7 qershorit janë certifikuar 902 kandidatë për deputetë nga 21 subjekte politike.
