Banka e Shqipërisë ka përgatitur ndryshimet rregullatore që do të ulin ndjeshëm normën maksimale të interesit (NEI maksimal) për kreditë e vogla konsumatore.
Sipas rregullores aktualisht në fuqi, NEI maksimal llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj.
Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.
Ndërkohë, sipas ndryshimeve të propozuara nga Banka e Shqipërisë në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, norma maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore deri në vlerën e 200 mijë lekëve do të jetë sa mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit për kredinë e dhënë, pa u shtuar me një të tretën.
Ndërkohë, për kreditë konsumatore me vlerë mbi 200 mijë lekë, NEI maksimal do të vazhdojë të llogaritet njësoj, pra duke e shtuar mesataren e thjeshtë të kredive të dhëna në periudhën paraardhëse me një të tretën.
