Deputeti i Partia Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë së Edi Rama, duke e akuzuar se ka lënë në harresë Frashërin, vendlindjen e vëllezërve Abdyl Frashëri, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri.
Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Gjekmarkaj deklaron se është paradoksale që qeveria përdor retorikën e “Rilindjes” dhe referencat ndaj figurave historike, ndërsa sipas tij Frashëri është lënë në degradim institucional dhe kulturor.
“Frashëri nuk është thjesht një fshat; është një tempull mbi të cilin mbahet identiteti shqiptar”, shkruan Agron Gjekmarkaj.
Ai kritikon gjendjen e infrastrukturës drejt zonës dhe mungesën e investimeve në Muzeun e Vëllezërve Frashëri, duke thënë se vendi që lindi rilindësit shqiptarë është lënë në harresë.
“Është turp që pas kaq vitesh pushtet, ‘Rilindja’ e tallavasë politike të ketë harruar pikërisht djepin e Rilindjes Kombëtare”, shprehet deputeti demokrat.
Në reagimin e tij, Gjekmarkaj akuzon qeverinë se përdor vetëm propagandë për integrimin europian, ndërsa realiteti, sipas tij, tregon shpopullim dhe mungesë respekti për trashëgiminë kombëtare.
“Nuk mund të pretendosh integrim europian duke shpopulluar e lënë në errësirë vendin që i dha Shqipërisë mendjen, shpirtin dhe vetëdijen kombëtare”, thekson ai.
Deputeti i PD-së shton se në vendet europiane, vendlindjet e figurave themeluese të kombit trajtohen si krenari shtetërore dhe destinacione kulturore, ndërsa sipas tij në Shqipëri propaganda ka zëvendësuar investimet reale dhe kujdesin ndaj memories historike.
Në fund të reagimit, Agron Gjekmarkaj citon rilindësit shqiptarë, duke theksuar se “kombet nuk i nderojnë rilindësit me fjalë, por me vepra”.
