Festat e fundvitit sjellin atmosferë gëzimi në çdo qytet, por prapa zbukurimeve dhe bredhave të mëdhenj që hijeshojnë sheshet, shpesh fshihet një kosto e rëndë për buxhetet lokale. Këtë vit, bashkitë e vendit, duke përfshirë edhe atë të Tiranës, kanë shpenzuar shuma të mëdha për dekorimet festive, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe efikasitetin e përdorimit të fondeve publike.
Dhjetori, muaji i festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, vjen bashkë me dekorin dhe zbukurimet.
Krahas atmosferës së krijuar për festimin dhe argëtimin e të gjitha grup-moshave, bashkitë jo rrallëherë e shfrytëzojnë edhe si një mundësi për abuzim.
Këtë vit, bashkia e Tiranës ka çelur 4 tendera me vlerën totale prej 28.8 milionë lekësh për dekorin e fundvitit. Për vitin 2023, bashkia e Tiranës shpenzoi rreth 21.2 milionë lekë nga buxheti prej 28.5 milionë lekësh.

Prokurimi është bërë në muajin tetor për blerjen e dekorimeve për festimet e Vitit të Ri 2024 në qytetin e Tiranës. Sipas Bashkisë Tiranë, qëllimi është përgatitja për një sezon festiv të ndriçuar dhe të gjallëruar, duke kontribuar në atmosferën pozitive dhe tërheqjen e sa më shumë turistëve.
